Prishtinë, 5 tetor – Gjatë ditës së sotme kryeshefi ekzekutiv i KRU ” Prishtina” Arsim Fetahu priti në një takim pune drejtorin për shëndetësi të komunës së Prishtinës z. Izet Sadiku dhe drejtorin e investimeve kapitale z. Krenar Xhaferi.
Përgjatë këtij takimi tejet të rëndësishëm për mirëqenien e qytetarëve të Prishtinës me rrethinë, u diskutua për furnizimin me ujë të pijshëm me theks të veçantë cilësinë e ujit dhe rrjetin shpërndarës, nivelet e ujit në liqenet akumuluese sipërfaqësore Batllava dhe Badoci si dhe funksionimin e Impiantit të trajtimit të ujit Shkabaj, funksionimin e rrjetit të ujësjellësit me fokus rehabilitimin e tij, investimet kapitale, rrjetin e ujërave të ndotura, mbrojtjen e burimeve të ujit, arkëtimin, etj.
Po ashtu tema kryesore e takimit përveç tjerash ishte mundësia e kyçjes në sistemin e rrjetit të ujësjellësit për të gjitha fshatrat e Gollakut, të cilat nuk janë të kyçur në sistem.
Të dyja palët institucionale u zotuan për bashkëpunim në realizimin e objektivave të cilat do ndikonin në përmirësimin e kushteve të jetesës për konsumatorët e Prishtinës me fshatra duke u bazuar në sigurimin e së drejtës themelore për qytetarët, ujë të pijshëm dhe cilësor për secilin konsumatorë.