baner-4

Prishtinë , 30 maj  – Kompania Rajonale e Ujësjellësit ,, Prishtina ,, sh.a. njofton sërish të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit se, liqenet akumuluese Batllava dhe Badoci kanë shënuar ngritje të konsiderueshme, sa që shumë shpejtë arritën edhe kuotën maksimale.

Ndërtimi i fabrikës së përpunimit të ujit në “Shkabaj” me kapacitet prodhues 700 l/s dhe ngritja maksimale e ujit në liqenet akumuluese e ndihmuan KRU”Prishtina” sh.a., që t’i furnizojë me ujë të pijshëm konsumatorët e kryeqytetit  dhe  shtatë komunat e tjera, duke i eliminuar tërësisht reduktimet e ujit gjatë ditës dhe natës.

Ua kujtojmë edhe njëherë se, jemi duke hyrë në sezonin e verës dhe menjëherë kanë filluar të rriten kërkesat për ujë të pijshëm në zonën e shërbimit.

Lagjet e kryeqytetit që kanë filluar të ndjejnë mungesën e ujit të pijshëm janë: Lagjja”Nic”, Lagjja “Qëndresa”, Lagjja”Sofalia”, pika të larta të fshatit Hajvali ( zonat që furnizohen me ujë nga sistemi i Badocit).

Kapacitetet momentale prodhuese janë maksimale, shpërndarja e ujit nga ana jonë po bëhet në mënyrë të barabartë, por ka keqpërdorim të ujit nga persona të pandërgjegjshëm.

Apelojmë sërish te Inspekcioni i Kuvendit Komunal të Prishtinës, përfshirë edhe inspekcionet e komunave të tjera në zonën e shërbimit, që të veprojnë si viteve paraprake, nxjerrjen e një urdhërese administrative për parandalimin e keqpërdorimit të ujit të pijshëm, në të cilën urdhëresë do të përcaktoheshin edhe gjobat për personat fizik dhe juridik që zihen në flagrancë duke e keqpërdorë ujin.

Ujë për pije, higjienë dhe nevoja të tjera elementare ka mjaftueshëm, por assesi për destinime tjera të paarsyeshme.

Shpenzimi racional i ujit të pijshëm në këtë periudhë është mëse i domosdoshëm.

Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me ç’rast mund t’i zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm, por ai duhet kursyer pikë për pikë!

Hapat që ne ndërmarrim sot për kursim të ujit, janë të një rëndësie jetike për ne dhe fëmijët tanë.

Cfarë mund të bëjë secili prej nesh, për të ndaluar keqpërdorimin e ujit?

  • Mos lejoni të rrjedhë ujë kot nga rubineti juaj,
  • Mos përdorni ujin e pijshëm për të larë veturat,
  • Mos përdorni ujin e pijshëm për ndërtime në qytet,
  • Mos pastroni trotuaret me ujin e pijshëm,
  • Mos harroni t’i mbyllni çezmat tuaja, pasi lani dhëmbët,
  • Mos vadisni  lulet, kopshtet dhe arat,
  • Paguani rregullisht ujin që konsumoni,
  • Mos lejoni ndërhyrjet pa leje në rrjetin e ujësjellësit,
  • Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për t’a shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë.
  • Ujin mund t’a zëvendësojë vetëm uji, andaj kurseje atë.
Lajme dhe Ngjarje